Zv.ministri Ademi: Qeveria aprovoi ndërtimin e shkollës fillore në Ljubosh të Studeniçanit

Problemet në sistemin e arsimit në vend në fushën e infrastrukturës dhe ndërtimit të shkollave si duket dita ditës po marin një kahje sa më pozitive ndërkohë që qeveria e më saktësisht ministria e arsimit dhe shkencës ka marrë dritë jeshile edhe për ndërtimin e një shkolle të re fillore në Ljubosh-Batincë në komunën e Studeniçanit, këtë për Zhurnal.mk e konfirmon edhe vet zv.ministri i arsimit dhe shkencës z. Arbër Ademi i cili edhe ka drejtuar iniciativën për fillimin e ndërtimit të një shkolle në këtë vendbanim.

Sipas zv.ministrit Ademi, ky problem shumë vjeçarë tashmë po merr një kahje tjetër dhe se me përfundimet e punimeve të kësaj shkolle nxënësit do të kenë kushte më të mira për mësim.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë në seancën e së martës, me iniciativë të Ministrisë së arsimit dhe shkencës, shqyrtoi dhe miratoi propozimin për fillimin e procedurave të prokurimit publik për lidhjen e kontratave shumëvjeçare për ndërtimin dhe mbikëqyrjen e ndërtimit të një shkolle fillore të re në vendin e quajtur Ljubosh-Batincë të Komunës së Studeniçanit, një problem që po merr fund dhe nxënësit e këtij rajoni pas përfundimit të ndërtesës së shkollës do e kenë më lehtë dhe do kenë kushte më të mira për mësim”, kështu deklaron për Zhurnal.mk zv.ministri për arsim dhe shkencë Arbër Ademi.

Ndërkohë që në anën tjetër nga komuna e Studeniçanit sqarojnë se tashmë kanë siguruar të gjitha dokumentacionet e nevojshme që kërkohen për fillimin e punës së ndërtimit të objektit të shkollës.

“Të gjitha procedurat e nevojshme janë kryer, e kemi edhe planin e ndërtimit po e kemi caktuar edhe vendin ku do të ndërtohet objekti, tash vetëm presim përgjigjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, thonë nga Komuna e Studeniçanit.

Komentoni lajmin...