Për keqardhje: Asnjë reagim nga Kurti e Mustafa për Kadri Veselin që u ftua nga Gjykata Speciale

Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk e kanë thënë asnjë fjalë për ftesën që dje e mori Kadri Veseli, kreu i PDK-së, e kryeparlamentari në detyrë, për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale.

Derisa i menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit Hashim Thaçi që për Veselin ka shkruar në Facebook.

“Kam pasur nderin e madh që për lirinë e Kosovës që nga fillimi të rrugëtoj vazhdimisht me Kadriun dhe në çdo hap jam ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e tij të pa shoq, tash e tri dekada. Nuk ka asnjë dyshim se zoti Veseli si edhe dhjetëra ish luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë ftuar nga Dhomat e Specializuara, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak”, ka thënë Thaci, derisa, ka shtuar se nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim.

Reagim për këtë çështje ka pasur edhe Ramush Haradinaj, kryeministri në detyrë, që ka thënë se Veseli si një nga udhëheqësit

“Kadri Veseli, si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë mbi popullin e Kosovës, si çdo luftëtar i lirisë, dhe do ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet. I bindur se edhe kësaj radhe do të ngadhënjejë e vërteta dhe e drejta jonë”, ka shkruar Haradinaj.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli ka thënë se lufta e popullit të Kosovës ka qenë e drejtë dhe me motive të larta humanitare.

“Lufta e popullit të Kosovës për liri ishte e pastër, e drejtë dhe me motive te larta humane. Kadri Veseli do të ngadhnjejë në këtë sfidë, bashkë me të gjithë ish luftëtarët e UÇK-së, duke i dëshmuar botës civilizuese edhe njëherë se viktimat e vetme në luftë ishim ne. Lufta e UÇK ishte heroike, përballë një aparati që kishte qëllim shfarosjen e popullit të Kosovës”, tha Pacolli.

Për Veselin ka reaguar edhe Daut Haradinaj i AAK-së.

“Si për çdo luftëtarë, ashtu edhe për Kadri Veselin kam qenë dhe do jem në përkrahje. Të priftë e mbara i nderuar, dalsh faqebardhë”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, kreu i NISMËS, Fatmir Limaj ka thënë se ftesa e Gjykatës Speciale është e padrejtë.

“Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale për bashkëluftëtarin tonë, z. Kadri Veseli, është e padrejtë dhe nga një gjykatë e padrejtë, ashtu sikur që janë të padrejta ftesat për drejtues dhe luftëtarë tjerë të UÇK-së. Drejtuesit e UÇK -së, ashtu siç kanë ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Kadri Veseli do dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së. Alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës. Jam i bindur se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve”, ka thënë Limaj.

Komentoni lajmin...