Interante: Emri Kadri Veseli i bën telashe

Sa herë që e kalon kufirin, e përcjellin problemet. Policia dhe xhandarmëria serbe, sapo i shohin dokumentet e tij të identifikimit mendojnë se ai është kryetari i Kuvendit të Kosovës, vetëm pse e mban të njëjtin emër e mbiemër. Kadri Veseli nga Tërrnoci i Madh thotë se disa herë mezi i ka shpëtuar dajakut në kufi për shkak të emrit që mban. Por, pavarësisht këtij rreziku, tregon se është krenar që mban të njëjtin emër me kryeparlamentarin Veseli. Express sjell rrëfimin rreth emnakut të Kadri Veselit. 

Ishte nisur që ta dërgonte djalin për mjekim për në Nish, por rruga i kishte mbetur në gjysmë. Kadri Veseli nga Presheva ishte ndaluar në gjysmë të rrugës për kontroll nga policia dhe xhandarmëria serbe afër Nishit.

Por, me t’ia parë emrin e mbiemrin në dokumentet e identifikimit, e kishin zbritur nga vetura e kishin dashur ta maltretonin. I kishin thënë të gjitha fjalët që u kishin rënë ndërmend.

Gjithë kjo për shkak të emrit dhe mbiemrit të tij.

Autoritetet serbe mendonin se ai është Kryetari i Kuvendit të Kosovës, vetëm pse mban të njëjtin emër, dhe ishin habitur me guximin e tij për të hyrë në territorin serb. Siç dihet edhe Kryetari i PDK-së është njëri nga figurat që kërkohen nga autoritetet e Serbisë për shkak të angazhimit në luftën e UÇK-së në fund të viteve 90’të.

Veseli i Tërrnocit tregon për Gazetën Express se mezi i kishte shpëtuar dajakut atë ditë.

“Isha duke udhëtuar për në Nish me bashkëshorten dhe me djalin për mjekim. Në rrugën kryesore afër Nishit ndodhej një postbllok, ku kontrollojnë Policia dhe Xhandarmëria. Pasi na e morën dokumentacionin, mua më zbritën dhe me thanë se me çfarë guximi t’i Kadri Veseli ke hyrë në Serbi. Më njollosën me fjalët më barbare, vetëm se kam të njëjtin emër dhe mbiemër me kryeparlamentarin, dhe donin të më maltretonin”, tregon Veseli për Gazetën Express.

Derisa thotë se me këtë problem përballet gjithmonë nëpër kufi.

Por, kjo nuk është situata e vetme në të cilën është përfshirë 55-vjeçari nga Tërrnoci për shkak të emrit, që e ka trashëguar nga gjyshi i tij.

Ani pse është dy vjet më i madh e nuk mban ndonjë pozitë të rëndësishme, ai tregon se shumë shpesh qytetarët e ngatërrojnë me kryetarin e PDK-së për shkak të emrit.

Nuk janë të rralla rastet kur atij i drejtohen edhe për ndihmë. Llogaritë e tij në rrjetet sociale janë të mbushura plot mesazhe për ndihmë.

“Kanë ndodhur shumë raste. Më kanë shkruar plot herë në faqen time disa persona, që t’u ndihmoj për shkak të kushteve të këqija dhe jam ndjerë shumë keq, që nuk kam mundur t’u ndihmojë. U kam treguar se nuk jam ai që ata mendojnë”, tregon Veseli.

Por, edhe pse e ngatërrojnë me kryeparlamentarin, jeta që bëjnë dallon si dita me natën.

Veseli është nga Tërrnoci i Madh, fshat në Luginën e Preshevës dhe tash e sa vite punon si rrobaqepës. Ai nuk ka lidhje me politikën.

Emrin thotë se e ka trashëguar nga gjyshi i tij dhe shton se ndihet krenar për emrin që mban.

Deri tash thotë se nuk e ka takuar asnjëherë kryetarin e Parlaemntit të Kosovës, që mban të njëjtin emër dhe mbiemër, por se e përcjell gjithmonë nëpër intervista e lajme. Shton se e vlerëson punën e tij për popullin.

“Po, e njoh kryeparlamentarin Kadri Veseli, e përcjell shumë shpesh nëpër intervista dhe lajme. Ndjehem shumë mirë dhe jam krenar për këtë. Nuk kam pasur rast të takohem, por dëshiroj të takohem. Mendoj se është person i mirë dhe mundohet të punojë për popullin e vet dhe e ka pozitën e merituar”, thotë ai për Express.

55-vjeçari nuk është i vetmi që ka emër të njëjtë me një prej liderëve shtetërorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *