Drejtoresha e Lutës për Kulturë në Gjilan figuron si uzurpatore e pronës publike

Drejtoresha e kulturës në këtë komunë, Shpresa Hajdari rezulton se ka uzurpuar pronën publike në sipërfaqe prej 96 metra katrorë.
Drejtoria e Gjeodezisë dhe Kadastrit e ka listuar drejtoreshën si uzurpatore gjersa lista është publikuar të premten nga vet komuna.

“Shpresa Hajdari rr.”Brigadat e UÇK-ës” nr.2 nas.kad.nr 4506-0, prona e uzurpuar përfshinë sipërfaqen prej 0.00.96 ha. Fl.pos. nr. 1760 KK-së Gjilan. Pjesa e objektit të uzurpuar i bashkëngjitet objektit privat të banimit. Katësia P+1 viti i ndërtimit 2000/2001. Aktvendimi nr.11-11/2000, dt 23.0.2001. Prona e uzurpuar arbitrarisht që nga koha e uzurpimit deri më tani nuk është liruar, pra edhe tani është në shfrytëzim dhe posedim të uzurpuesit arbitrarë”, thuhet në dokumentin e komunës, raporton Koha Ditore.

Gazeta ka kontaktuar me zëdhënësin e komunës së Gjilanit, Ibrahim Ademi rreth çështjes së uzurpimit të pronës publike nga vet zyrtarët e komunës mirëpo i njëjti ka deklaruar se nuk ka të drejtë që komentojë rreth listës e cila është publikuar.

“Nuk kam koment për këtë” ka thënë ai.

Ndërkaq gazeta ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e kulturës, Shpresa Hajdari e cila ka deklaruar se nuk e ka parë listën e uzurpatorëve e cila është publikuar nga komuna ku figuron edhe emri I saj.

Megjithatë deklaron se në komunë kanë parashtruar kërkesë për “legalizim” të një pjesë të pronës të cilin e kanë “renovuar”.

“Nuk e kam parë këtë listë. Para lufte e kam blerë një shtëpi e cila është e ndërtuar në vitin 1950. Dhe kemi bërë një renovim në vitin 2001 dhe kemi kërkuar legalizim të asaj pjese që e kemi renovuar” ka thënë ajo.

Komentoni lajmin...