Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

Para disa viteve një mik më ka pyetur se cilin nga personat e konsideroj intelektualin me të shquar kosovar. I kërkova kohë mikut që t’i jap përgjigje. Nëse e njëjta pyetje do më bëhej tani, nuk do të kërkoja kohë për t’u përgjigjur. Teksa lexoja shkrimet e Ukshin Hotit të përmbledhura në librin “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare” krijova bindjen që asnjëherë nuk kam lexuar nga autorë kosovarë diçka të shkruar më thellë, më përmbajtjesore në teorinë politike se sa kjo vepër e shkruar nga Ukshin Hoti.

Parathënësi i kësaj libri Moikom Zeqo, teksa koncepton teorinë politike të autorit thotë: “për çdo intelektual shqiptar, të veshur me këmisha ceremoniale të konferencave të shtypit, të masmedias, të mjediseve moderne të aeroporteve dhe të hoteleve luksoze, imazhi i këtij të burgosuri i shpallur i zhdukur është një thirrje për ballafaqim moral dhe shpirtëror. Ai nuk u përpoq ta mundë historinë, por u bë viktimë e saj dhe mbeti përjetësisht në histori”.

Çdo rresht i shkruar nga Hoti mund të merret si një këshillë, version, shembull dhe rast i ilustruar dhe i krahasuar mjeshtërisht nga ai. Pa cenuar dhe modifikuar asnjë fjalë, rresht dhe shprehje të tij, po ia bashkëngjis këtij teksti dhjetë pikëpamje të Hotit, të cilat ndonëse te shkruara para vitit 1994, kohë kjo kur ra në burg, për të mos dalë më nga aty, të krijon bindjen që janë shkruar në kontekstin aktual politik e shoqëror të Kosovës e shqiptarëve në përgjithësi.

1) Historia e shqiptarëve nuk duhet bërë nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.

2) Shqiptarët duhet të jetojnë dhe t’i preferojnë vlerat e një botë me raporte të çiltra e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njëjta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre origjinale.

3) Në qoftë se me demokraci synohet demobilizimi dhe jo mobilizimi i forcave të zhvillimit, në qoftë se, ajo (demokracia), nuk do ta mundësojë (përmes zgjedhjeve të lira), shpërthimin e forcave të njëmendëta kreative, në qoftë se përmes konkurrencës së lirë të ideve, mendimeve dhe mallrave nuk do të mundësohet ndërtimi i vlerave të njëmendëta, në qoftë se, me fjalë të tjera, demokracia, përmes mekanizmave tanimë të njohur, do të reduktohet në formalizëm të thjeshtë për ruajtjen e privilegjeve tashmë të privilegjuara e jo për begatimin e jetës shoqërore dhe politike, ky lloj i demokracisë në Kosovë nuk do t’u duhet.

4) Kosova, me fjalë të tjera, as nuk e ka importuar, e as që mund ta importojë demokracinë. Dhe, nuk mund, gjithashtu, ta eksportojë atë. Ajo nuk mund ta ndërtojë demokracinë në baza të ekskluzivitetit nacional. Demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët, e as nuk u lind për qejfin e tyre. Ishte e ndërlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerëzimit. Demokracia në Kosovë u vetëlind në vitin 1981, kur qytetarët kërkuan që zëri i tyre të jetë suprem, demokracia në Kosovë do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe e ndërlidhur me të tjerat dhe të tjerët.

5) Për shqiptarët, por edhe për serbët, progresi i vetëm do të jetë jetësimi dhe forcimi i shtetit të Kosovës, jo vetëm sepse kjo është e drejtë elementare -instrument vital i zhvillimit, por edhe sepse vetëm në atë mënyrë mund t’i shmangemi instrumentalizimit në dobi të interesave të huaja për t’i hapur kështu rrugët e evropianizimit të shpejtuar. Në qoftë se kjo gjë nuk kuptohet, ose kuptohet por nuk dëshirohet të pranohet, alternativa e saj mund të jetë vetëm kthimi në mesjetë – përgjakja e serishme e historisë.

6) Populli shqiptar niset nga besimi i plotë se është popull i Evropës, njëri ndër më të vjetërit, dhe se parimet që do të vlenin për të tjerët do të duhej të vlenin edhe për të. Në këtë mënyrë, tashmë është në provë e sipër kriteri religjioz, kaherë i injoruar dhe i harruar, në përcaktimin e statusit e popujve të Evropës.

7) Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.

8) Kombi Shqiptar po e përjeton në imagjinatë atë që kombet tjera e kanë realizuar prej kohësh. Po duke qenë një komb si të gjitha kombet tjera, shqiptarët nuk kanë pse të përjetojnë gjithçka vetëm në imagjinatë.

9) Lufta e kombit shqiptar për liri nuk ka pse të instrumentalizohet si një luftë me terma fetarë midis kristianizmit ortodoks serb dhe muslimanizmit fundamentalist shqiptar. Kjo gjë është një absurditet. Te shqiptarët, ku ekziston një pluralitet feshë, nuk ka ekzistuar ndonjëherë një fetarizëm i lidhur me qenien etnike. Fundamentalizmi fetar për shqiptarët është një shpikje idiote dhe e kotë.

10) Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropeizimit të saj të ardhshëm.

Komentoni lajmin...