fbpx
Lajme

Kush është Agjentja rumune ‘Mona’, e cila ishte pjesë e “Syrit të Popullit”, ishte anëtarësuar në VV

Mona e Rumanisë

INSAJDERI 2017: Sylë Hoxha, ish prokurori Special që po e përfaqësonte shtetin kundër organizatës “Syri i Popullit” kishte intervistuar 61 dëshmitarë, herë personalisht e herë duke i udhëzuar policët hetues, por aktualisht në këtë dosje mungon dëshmia e një personi kyç, Mona Agrigoroaiei nga Rumania.

Emri i saj u bë i njohur për publikun pak kohë pasi që Murat Jashari kreu atentatin e dështuar kundër Azem Vllasit, pasi që një portal kishte publikuar biseda erotike në mes të Jasharit dhe Agrigoroaiei

Por, cila është lidhja e saj me liderin e “Syrit të Popullit”, Murat Jashari, pos lidhjes intime online?

Murta Jashari madje e kishte propozuar atë si për njërën nga pozitat kryesore në organizatën Lëvizja për Ribashkim Kombëtar.

“Për sekretare të LPRK-së propozojë një ‘sokoleshë’ shqiptare që mund të komunikojë më faktorin ndërkombëtar”, ishte shprehur Jashari.

Sipas dosjes së Prokurorisë për “Syrin e Popullit” personi me të cilin Murat Jashari po komunikonte për ta vënë në kontakt me faktorin ndërkombëtar është pikërisht Mona.

Ai në këtë komunikime me postë elektronike me Agrigoroaiei i thotë asaj që duhet ta përkthejë planin e “Syrit të Popullit” si organizatë dhe tua dërgoi ambasadës së ShBA-ve, Gjermanisë, Anglisë dhe Izraelit. Jashari do të kërkonte nga ajo edhe t’ia gjente kontaktet e ambasadorëve të lartpërmendur që janë akredituar në Zvicër.

Mona e kryen punën me të cilën e angazhon Murat Jashari dhe madje ia përmirëson drejt shkrimin e tij dhe i jep një këshillë: “për mendimin promemoria duhet të jetë e shkurtër dhe e qartë sepse diplomatët diplomatët nuk kanë kohë të lexojnë romane kilometrike” i shkruan ajo.

Lidhja e tyre duket se ishte vërtetë e afërt, pasi që Mona do ti shkruante Murat Jasharit tri ditë para se ai ta kryente sulmin kundër Vllasit, duke i thënë se ishte bërë merak për të.

Tutje, sipas aktakuzës, Murat Jashari po në ditën që kreu atentatin e dështuar kundër Azem Vllasit e kishte porositur Mona Agrigoroaiei nga Rumania që t’ia dërgonte me SMS emrin e mbiemrin e saktë si e ka në pasaportë dhe tutje i kërkon që ta bëjë një rezervim hoteli për dy persona në Frieburg, aty ku jetonte Jashari në Zvicër. Edhe pse nuk dihet a po planifikonte ta kalonin bashkë natën me Monën, por Jashari e përfundon mesazhin duke i thënë asaj “të dua shpirt” dhe ajo ia kthen me fjalën “zemër”. Por edhe i kërkon ta dije se kur ia dërgon paratë.

Mbrojtësja e Murat Jasharit, avokatja Fehmije Gashi Bytyqi megjithatë e përshkruan ndryshe këtë raport.

“…Unë nuk po lëshona për Monën se nuk di më shumë për të, se kur kam biseduar me Muratin ai nuk ka kurrfarë ndjeshmërie, nuk i kujton kurrgjë ai emër se natyrisht mua më ka interesuar gjithë kjo literaturë për të…”, thotë ajo.

E Ramiz Krassniqi që mbron anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabajën flet diçka tjetër për këtë personazh.

“Mona ka ardhur në Kosovë disa herë, madje është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe Sadriu ka pas vetëm një kontakt me të, edhe sipas Sadriut ajo është një person shumë i dyshuar, është punëtore e shërbimit qoftë rumun qoftë serb, bile bile sipas Sadriut, i njëjti ia ka tërhequr edhe vërejtjen aktivistëve të Vetëvendosjes që të kenë kontakte sa më të pakta me të edhe më duket prej atij momenti Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kontakte me këtë Monën. Ajo është paraqitur si pro shqiptare, ka shkruar disa poezi për luftën, ka propozuar që të krijohen disa fonde e ku di unë, por sipas Sadri Ramabajës ajo është shumë e dyshimit dhe vetëm një kontakt Sadriu e ka pas me të absolutisht kerr s’ka komunikuar me të”, thotë Krasniqi.

Për këtë personazh, që vite më parë promovoi edhe një libër në Prishtinë, për të cilën foli edhe Adem Demaçi, televizioni Publik kishte bërë një raportim duke e akuzuar për agjente të shërbimeve të huaja, më saktë, atyre rumune dhe maqedonase.

Ky artikull i RTK-së që tashmë nuk gjendet ne faqen e këtij televizioni ishte publikuar shumë kohë para se të ndodhte atentati kundër Azem Vllasit. Burimet i kishin thënë RTK-së se ajo po përpiqet që t’i nxisë shqiptarët për sulme ndaj Maqedonisë, me qëllim paraqitjen e shqiptarëve si faktor destabiliteti në Ballkan.

RTK-ja e grit shumë lartë Monën, duke konstatuar se sipas burimeve ka qenë e përfshirë edhe në skandalin e majit të vitit 2015 në Kumanovë të Maqedonisë, me ç ‘rast qenë vrarë 10 shqiptarë.

Për familjarët e këtij grupi që kreu veprimtari terroriste në territorin e Republikës së Maqedonisë kryeministri aktual ka ndarë mijëra euro nga buxheti i shtetit të Kosovës.

Edhe pse është ngushtë e lidhur me organizatën “Syri i Popullit”, e njëjta ende nuk është akuzuar nga Prokuroria Speciale kosovare. Por, Prokurori Sylë Hoxha që po e udhëheq këtë rast ekskluzivisht për këtë dokumentar tha se në rast do të përfshihet edhe Mona Agrigoroaiei nga Rumania, por pa dhënë detaje.

“Ne i kemi marr veprimet procedurale në kuptim dispozitave ligjore edhe ndaj saj. Përhirë të hetimeve nuk mund të deklarohemi më tutje po, po them se veprimet procedurale edhe ndaj saj janë ndërmarrë”, thotë prokurori Hoxha.

Rumunja MONA AGRIGOROAIEI (vërejtje: Rumania nuk e njeh Republikën e Kosovës), e njohur edhe për opinionin si “veprimtare e çështjes kombëtare shqiptare”, sipas të dhënave tona të pakonfirmuara, më shumë se një vit, e ka të ndaluar qëtë hyjë në territorin e Republikës së Kosovës.

Burime të RTK, që preferojnë anonimitetin, thonë se ajo dyshohet se është bashkëpunëtore e shërbimeve sekrete rumune dhe maqedonase. Së këndejmi, e tërë veprimtaria e saj në mesin e strukturave të ndryshme intelektuale shqiptare, politike (legale dhe ilegale) dhe strukturave të tjera, ka për qëllim zbulimin e të dhënave brenda tyre.

Gjithashtu, të njëjtat burime, të cilat janë të afërta me Monën, thonë se ajo po përpiqet që t’i nxisë shqiptarët për sulme ndaj Maqedonisë, me qëllim paraqitjen e shqiptarëve si faktor destabiliteti në Ballkan.

Mona AGRIGOROAIEI është nga qyteti Botoshani, i cili ndodhet në veri të Rumanisë. Mona pretendon se është me prejardhje shqiptare.

Ka përfunduar Shkencat Politike, si dhe ka regjistruar studimet e nivelit Bachelor, në Fakultetin e Shkencave të Sigurisë në Institutin e Kosovës për Studime të Sigurisë (ISPE). Flet rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe njihet edhe si shkrimtare në mesin e shqiptarëve. Në vitin e kaluar, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë ka përuruar librin me poezi “Shtegu i çlirimit”.

Mban takime me persona të ndryshëm me“qëllim të bashkimit të të gjithë individëve të cilët kanë qenë pjesëmarrës në luftërat në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni”. Sferë të veçantë e interesit të saj është e ashtuquajtura “Armata Kombëtare Shqiptare” ose AKSh-ja.

Të dhënat e siguruara nga redaksia jonë, e që vijnë nga miqtë e Monas në Facebook, thonë se shërbimi sekret maqedonas më 28 nëntor 2011, në pikën kufitare të Qafëthanës, në mes të Shqipërisë dhe Maqedonisë, e ka ndaluar atë për 5 orë dhe që nga ajo kohë Mona mban kontakte edhe me shërbimin maqedonas. Se ajo është ndaluar nga maqedonasit, e dëshmon edhe ky shkrim i atyre ditëve.

Ka të dhëna se Mona ka qenë në një ose formën tjetër e përfshirë edhe në skandalin e majit të vitit të kaluar në Kumanovë, me ç’rast qenë vrarë10 shqiptarë. Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, të cilat atëherë patën dalë në publik, improvizimi i gjoja sulmit të shqiptarëve në Kumanovë ishte bërë mu nga shërbimet maqedonase të sigurisë.

Rumunia MONA AGRIGOROAIE ka depërtuar edhe në mesin e intelektualëve e veprimtarëve atdhetarë, kryesisht ish të burgosur politikë të Kosovës, gjë që besohet se e bën më shumë për ta sforcuar bindjen se ajo është një veprimtare e devotshme kombëtare shqiptare. Zakonisht, kjo është një maskë spiunazhi!

Aktiviteti i saj prej spiunie zhvillohet edhe në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo ka qenë e pranishme disa herë në tubime që kanë të bëjnë me të ashtuquajtura “Lëvizje Mbarëshqiptare”, e ku janë të përfshirë edhe persona të tjerë të dyshimtë.

Në këtë takim, i cili është mbajtur në nëntorin e vitit 2015 në Tiranë, Mona ka depërtuar aq lartë, saqë ka pasur për detyrë që ta bëjë progrmain e kësaj “Lëvizjeje”, status-rregulloren dhe organizimin e grevave dhe të demonstratave. Megjithatë, të dhënat flasin se një gjë e tillë është vështirë të organizohet, sepse grupi i personave të tjerë organizorë janë të moshës më të shtyrë dhe nuk kanë përkrahje në masat e gjera.

Pavarësisht dyshimeve të shumta që ngriten për Monën edhe në rrjete sociale, nga vet miqtë e saj virtualë, ajo vazhdon me ngulm të nxisë kryengritje të armatosur të shqiptarëve për gjoja “bashkimin kombëtar”.

Sipas, hulumtimeve tona të bëra në rrjetet sociale, MONA AGRIGOROAIEI, ka tri profile në facebook, përmes të cilave ajo përpiqet që përveç nxitjes sëshqiptarëve për rebelim edhe të marrë informacione për shërbimet sekrete që ajo punon.

Nga reagimet e të tjerëve në këtor rrjete sociale, kuptohet se MONA AGRIGOROAIEIka nxitur dyshime edhe në mesin e komunitetit të facebook-ut[1].

Mona ka 3 profile në facebook, madje njërin prej tyre e ka nisur asisoj që të përfshihet edhe në mesin e besimtarëve islamë në Kosovë. Duke u nisur nga përvoja e veprimtarisë së saj në emër të “shqiptarizmës”, nuk do mend se ajo mund të veprojë edhe në fushën e nxitjes së ekstremizmit fetar./RTK/

Kështu do të dukej “Syri i Poullit”

Promemoria, një lloj projekti se si do të dukej organizata ‘Syri i Populli” ishte gjetur në disa USB që iu kapën Murat Jashrit. Një pjesë e mirë e këtij materiali ishte përkthyer edhe në gjuhë të huaja, përfshirë edhe gjuhën angleze, nga ana e Mona Agrigoroaiei.

Në këto dokumente përshkruhet se Lëvizja “Syri i Popullit” është organizatë ilegale që do t’i përcjellë subjektet politike dhe jopolitike, pushtetet qendrore dhe lokale dhe klerikët etj. në gjithë hapësirën shqiptare.

Ajo ka Shtabin Qendror prej 12 anëtarëve nga gjithë hapësirat shqiptare dhe se përgjegjës i tij është “Sakati”- që më vonë sqarohet e është vetë Murat Jashari dhe zëdhënës “Besniku”, sipas Prokurorisë, që është Sadri Ramabaja.

Ramabajën, apo i përshkruar me nofkën “Besniku” Murat Jasahri e ka bërë, në planetë e tija edhe përgjegjës të Grupit Politik edhe zëdhënës të organizatës dhe sipas tij ai me 7 veta të tjerë përgatit komunikatat, dhe sipas nevojës edhe reagimet- pasi tenisin aksionet dhe atentatet.

“Syri i Popullit” planifikonte të kishte edhe përgjegjësin për Zbulim-Kundërzbulim e që ishte “Flamuri” dhe zëvendësin e tij që ishte “Shqiponja” derisa përgjegjësi i Operativës sipas aktakuzës ishte “Gergji”, ndërsa zëvendës “Bardhi”.

Veç pozita e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm i dukej pak Murat Jasharit, prandaj ai në planet e tij ia dha vetës të drejtën që ti kontrollonte edhe financat. Kështu, ai kishe paraparë si përgjegjës të financave personin me nofkën “Enveri”, dhe sipas Prokurorisë është vetë i pandehuri Murat Jashari, e zëvendës i tij “Xheva”, që është e pandehura Lirije Luzha, e afërme e Jasharit.

Ata kishin themeluar madje edhe një grup të veçantë, pos atij të guerilës. “Syri i Popullit” kishte edhe grupin për dajak.

“Syri i Popullit” madje kishte dizajnuar edhe logot e degëve të saj derisa për betim vendosi që ta bënte para flamurit kombëtarë shqiptar dhe para fotografisë së Adem Jasharit

InDoks ekskluzivisht për herë të parë solli pamjet se si dukeshin llogot e Shtabit të Përgjithshëm të Syrit të Popullit si dhe fondacioneve të saj.

Por, krejt këto gjetje nga Prokuroria po tenton ti hedh poshtë mbrojtësja e Murat Jasharit. Ajo madje akuzon Prokurorin për shkelje të të drejtave të njeriut duke e mbajtur të izoluar e madje edhe në proces gjyqësor Murat Jasharin, që ka problme serioze me skizofreninë.

Në këtë strukturë të “Syrit të Popullit” të krijuar nga mendja e Murat Jasharit lartë ngjitet Sadri Ramabaja, por ai implikohet rëndë edhe nga dy dëshmitarët e mbrojtur që ka propozuar Prokuroria.

“Më datën 11 mars 2017, Ramabaja është takuar më të pandehurin Murat Jasharin në restorantin ‘Villa Panorama’ në fshatin Matiçan. Në këtë takim janë përmendur grupe të personave prej 10 vetë. Aty saktësohet se në këtë takim, Ramabaja ka sugjeruar që grupi mos të zgjerohet me më shumë se 10 persona”, thuhet në dokumente e Prokurorisë.

“Ramabaja i ka thënë Murat Jasharit ‘po të sugjeroj që mos më u zgjerua më shumë se 10 veta. Identifikimi i njerëzve është i rrezikshëm. Ti nuk mundësh më nga ky kënd, sepse në Kosovë janë 38 shërbime. Kushdo që përdor banka nuk ka shanse pa u zbulua. Me 10 veta duhet me u krye. 5-6 veta shumë të besueshëm, nuk guxon ashtu të zgjerohesh’”, pretendohet se ka thënë Ramabaja në këtë takim, në të cilin shkarazi ishin takuar edhe me Faton Topallin, ish-deputet i Vetëvendosjes, tash i grupit të ri të deputetëve që u krijua nga ndarja e kësaj partie.

Ramabaja që tash po mbahet ende në paraburgim dhe ka një arsye më shumë se pse po ndodh kjo. Ai tentoi të arratisje nga vendi madje duke u kapur edhe me dokumente te falsifikuara.

Ramabaja kishte thënë në Prokurori se kur po e priste gruan në Aeroport dikush nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës i kishte thënë se është në rrezik dhe duhet të largohet. Por, në vidoe-nicizimet që i ka në posedim InDoKS ai pret në aeroport e nuk duket që i afrohet dikush për ti folur (lëshohen nja një minutë pamje të kombinuara nga kamerat). Avokati i tij ka një shpjegim tjetër.

“Ato prova Sadri Ramabaja ka potencua se arsyeja e ikjes së tij, ka qenë se një punëtor i AKI-së i është ofruar deri sa ka qenë duke e pritur gruan e tij, bashkëshorten e tij, dhe i ka thanë profesor është mirë të largohesh për një kohë nga Kosova sepse jeta jote është shumë në rrezik dhe Sadriu normal që është frikësuar, sepse frika është njerëzore, është frikësuar edhe ka ikur nga Kosova edhe ky tash gjoja se janë marr kamerat edhe është pa se në atë kohë afër Sadriut nuk qarkullon askush. Së pari ne nuk jemi ballafaquar me atë provë nuk e dimë çka kanë pa punëtorët e sigurimit aty, është dashtë kur e kanë ekzaminuar si provë është dashtë së paku unë të jem unë aty, dhe të shohim a i ka pëshpëritur dikush Sadriut ose nuk i ka pëshpërit, mirëpo Sadriu është intelektual dhe nuk mund të trilloj gjëra të tilla”, thotë ai.

Ai thotë që Rambaja është në fakt viktimë dhe se ka një arsye politike pse është pjesë e aktakuzës.

“Nuk mund të ketë organizata të tilla pa i implikuar njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje edhe unë kujtojë që arsyeja thelbësore është pse Sadria është i inkurperum në këtë grup vetëm pse ka qenë anëtar i Vetëvendosjes, asnjë dëshmitar, asnjë njeri nuk e përmend emrin e Sadriut, por Murat Jashari… Ata dëshmitar janë të mbrojtur janë të mbrojtur, janë punëtorë të AKI-së”, thotë ai.

Dëshmitarë që ndikojnë

Një listë e gjatë për likuidime ishte përgatitur nga “Syri i popullit”. Në ballë të saj do të ishte Hashim Thaçi. Pastaj kadri Veseli, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti dhe deri te ish-ministri i drejtësisë, Hajredin Kuçi, që tashmë e një kohë ka ikur nga vëmendja e publikut. Ishin edhe shumë e shumë figura politike e të shoqërisë civile

Për këtë lista e dëshmitarëve është kryesisht edhe lista e personave që u planifikua të vritej nga “Syri i Popullit, por jo vetëm ata.

Kështu, Prokuroria Speciale intervistoi këta persona me pozita të larta publike

Por, ky profil i lartë dëshmitarësh mund ta ndikojë procesin, druajnë mbrojtësit e të akuzuarve.

“Mund të ketë ndikim, vet deklarimi i kryetarit të shtetit në gjykatë mund të ketë ndikim”, thotë Fehmije Gashi-Bytyqi.

Avokati që po e mbron Sadri Ramabajnë pos drojës për ndikim nga Presidenti Thaçi në këtë rast ka vërejtur edhe diçka tjetër në deklaratën e tij.

“Thuhet se në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe Hashim Thaçi, unë se besoj se Hashim Thaçi ka shkuar në zyrën e Sylë Hoxhës, sepse Hashim Thaçi, edhe Salustros nuk i ka shkuar në zyre, po është shumë interesant ja si e përfundon deklaratën thotë, dëshmitari i dëmtuar thotë: “akuzës i bashkëngjitëm dhe kërkoj nga organet shtetërore që këtë çështje ta ndriçojnë deri në fund me korrektësi dhe profesionalizëm, domethënë sipas Hashim Thaçit, ky e ka ditë se do të ketë një aktakuzë edhe pse është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, pastaj thotë, në fund kërkojë që kjo çështje të gjykohet me korrektësi dhe profesionalizëm domethënë sipas kësaj logjike del se ka gjyqtar që i gjykojnë çështjet pa korrektësi dhe pa profesionalizëm, por nëse ka të tillë atëherë pse ky i ka mandatur si gjyqtar ky është problemi”, thotë Ramiz Krasniqi

Prokurori që po e përfaqëson shtetin në akuzën kundër “Syrit të Popullit” megjithatë pret mbështetje nga krerët e shtetit. Deklaron edhe se ata njëmend i erdhën për intervistë në atë zyrë të vogël të tij.

“Kanë qenë në zyre, bile unë edhe nuk kam prit kur më kanë thënë, normal që unë ja kam çu ftesat. Bile jam habit njëri prej tyre më ka ardhur pa paralajmërim. Po mendoj ftesën ja kam dërguar veç unë pritsha me më than që unë jam i zënë, ja sot a nesër a diçka, po veç kur më kanë thënë po hajde se ka ardhur”, thotë i kënaqur Sylë Hoxha.

Më poshtë i gjeni të plota të dyja pjesët e dokumentarit “Patriot të çmendur”:

Pjesa e parë: https://video.gjirafa.com/insajderi?video=indoks-patriote-te-cmendur-pjesa-e-pare

Pjesa e dytë: https://video.gjirafa.com/insajderi?video=patriote-te-cmendur-pjesa-e-dyte-2

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close